Mourinho përgjigjet kur pyetet për rikthim në Real Madrid !


Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, e ka mohuar mundësinë emërimit të tij si trajner i ardhshëm i Real Madridit, në rast se Julen Lopetegui shkarkohet nga kjo pozitë. Madje, portugezi ka bërë të ditur se ai dëshiron kontratë të re, më të gjatë, me “Djajtë e kuq”.

Ish-trajneri i Kombëtares së Spanjës, Lopetegui, ishte emëruar trajner i Real Madridit pas përfundimit të sezonit të kaluar. Megjithatë, ai nuk ka arritur të tregohet i suksesshëm deri më tani në këtë punë, pasi që në pesë ndeshjet e fundit nuk ka marrë asnjë fitore dhe i ka humbur katër prej tyre.

Situata u përkeqësua edhe më shumë për të, pasi që në fundjavë e humbi ndeshjen kundër Levante në Santiago Bernabeu me rezultat 1-2. Ky rezultat i ka nxitur spekulimet se disa trajnerë, njëri prej të cilëve është edhe Mourinho, mund ta marrin pozitën e Lopeteguit.

“Jo, e ardhmja ime është këtu. Kam një kontratë me klubin dhe deri në fund të kontratës, unë do të mendoj vetëm për Manchester Unitedin. Jam i lumtur të qëndroj në këtë klub edhe për më gjatë se aq”, ka thënë Mourinho, kur u pyet për mundësinë e kthimit në Real Madrid.

Edhe vetë pozita e Mourinhos në Manchester United ishte vënë në dyshim për shkak të rezultateve të këqija që kishte marrë skuadra e tij në fillim të këtij sezoni në Premierligë. “Djajtë e kuq” tani janë në pozitën e dhjetë në tabelën e Premierligës, si dhe skuadra e Mourinhos ka arritur të sigurojë vetëm një fitore nga gjashtë ndeshjet e fundit.
Loading...
Powered by Blogger.